AKTIVITET TRAJNUES: “Likuidimi i shoqërive tregtare në gjendje të aftësisë paguese.” - 27 Prill 2026

Shkolla e Magjistraturës, zhvilloi në datën 27 Prill 2026 aktivitetin trajnues me Temë: “Likuidimi i shoqërive tregtare në gjendje të aftësisë paguese. Paaftësia paguese si shkak për likuidimin sipas rregullave të Ligjit “Për falimentimin”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Vangjel Kosta dhe Artan Hajdari

Lehtësuese: Antonela Prendi 

Qëllimi i këtij trajnimi është: të thellojë kuptimin e dallimeve thelbësore ndërmjet likuidimit vullnetar dhe procedurave të falimentimit, duke i pajisur pjesëmarrësit me njohuri të konsoliduara mbi kushtet, procedurat dhe pasojat juridike të secilës situatë. Trajnimi synon të rrisë aftësinë e magjistratëve për të identifikuar saktë gjendjen financiare të shoqërisë, për të zbatuar drejt kuadrin ligjor përkatës dhe për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të kreditorëve dhe palëve të tjera të interesuara, duke kontribuar në një praktikë gjyqësore të qëndrueshme dhe efikase.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Procedura e falimentimit- zgjidhje kolektive e marrëdhënieve të borxhit;
  • Paaftësia paguese i vetmi shkak për fillimin e procedurës së falimentimit;
  • Roli administrativ dhe roli klasik gjyqësor i Gjykatës së Falimentimit;
  • Juridiksioni gjyqësor në gjykimin e procedurave të falimentimit;
  • Natyra e posaçme e procedurës së gjykimit të çështjeve që lidhen me falimentimin;
  • Rregullat e veçanta të njoftimeve në procedurën e falimentimit;
  • Roli i administratorit të falimentimit në veprimet e gjykatës ( delegimi);
  • Shkaqet e prishjes së shoqërive tregtare dhe pasojat ligjore;
  • Likuidimi i zakonshëm dhe i thjeshtuar i shoqërive tregtare. Dallimet mes dy formave te likuidimit të shoqërive tregtare;
  • Likuidimi në rrugë gjyqësore dhe jashtëgjyqësore;
  • Legjitimimi aktiv dhe pasiv në padinë e prishjes së shoqërisë dhe aspekte te tjera procedurale në lidhje me këtë gjykim;
  • Kompetencat dhe përgjegjësitë e likuidatorit gjatë procedurës së likuidimit;
  • Pasojat ligjore të mbylljes së procesit të likuidimit;
  • Mundësia e prishjes së vendimit të prishjes së shoqërisë dhe hapjes së likuidimit.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe përmbarues gjyqësorë të Republikës së Shqipërisë.